29/08/2019
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Balkans Trust for Democracy (BTD)
Shpat Balaj
Komuniteti serb i Kosovës që jeton në jug të lumit Ibër, filloi ta mbështesë konceptin e policimit nga këndvështrimi i komunitetit dhe si një instrument i shërbimit publik. Ndërsa në Veri, deri në shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, mbizotëronte trashëgimia e sistemit të mëparshëm të policimit të bazuar në militarizim dhe interesat e shtetit serb. Kjo ka sjellë perceptime të përziera ndaj PK-së në katër komunat veriore. Edhe pse shumë prej anëtarëve serb të PK-së vijnë nga ish MUP-i i Serbisë, ngurrimi kundrejt PK-së shpërfaqet jo vetëm për shkak të simbolikës që lidhet me uniformën e PK-së, por edhe për shkak të nivelit të kompetencës dhe besnikërinë ndaj interesit të komunitetit. Kjo ide është shprehur nga politikani i njohur serb në pjesë veriore të Kosovës, z. Oliver Ivanoviq, i cili kishte thënë se të njëjtët persona, të cilët vepronin me kompetencë në MUP-in e Serbisë, nuk po veprojnë në të njëjtin nivel nën uniformën e Kosovës.
Ky punim përmbledh gjendjen ekzistuese në lidhje me qëndrimin e komunitetit serb të Kosovës kundrejt PK-së në komunat me shumicë serbe, duke u fokusuar në katër komunat veriore të Kosovës. Punimi mbulon kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve kryesore, dhe e paraqet perceptimin publik kundrejt PK-së si rezultat të tensioneve politike në veri dhe gjendjes së përgjithshme të frikës në mesin e popullatës. Përveç kësaj, punimi analizon shqetësimet kryesore të sigurisë të komunitetit serb të Kosovës, si dhe ofron disa rekomandime për adresimin e shqetësimeve dhe sfidave të tilla nga këndvështrimi i komunitetit.
Punimi mbështetet në hulumtimet e gjera të ekipit të QKSS-së në veri të Kosovës dhe në komuna kyçe me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës. QKSS zhvilloi diskutime të ndara me qytetarë dhe përfaqësues të policisë në gjashtë punëtori në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Graçanicë dhe Shtërpcë. Këto u pasuan nga intervista ballë për ballë me përfaqësuesit e qeverisë si dhe me shoqërinë civile. Ekipi bëri analizën e përmbajtjes së dokumenteve zyrtare, raporteve ekzistuese dhe shqyrtimeve të kornizave ligjore përkatëse. Gjetjet e përgjithshme janë mbështetur edhe nga përfshirja e ekipit të QKSS në procese të ndryshme relevante, si dhe në konsultimet me aktorët përkatës.
Ky raport u prodhua falë përkrahjes financiare të Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara. Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Trustit Ballkanik për Demokraci, të Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose të partnerëve të tij.