DESTINACIONI NË NATO: ALTERNATIVAT PËR KOSOVËN DREJT ANËTARËSIMIT NË NATO

20/05/2015

DESTINACIONI NË NATO: ALTERNATIVAT PËR KOSOVËN DREJT ANËTARËSIMIT NË NATO

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të hënen, më 18 Maj 2015 ka organizuar konferencën: “Destinacioni në NATO: Alternativat e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”. Në këtë konferencë është publikuar raporti hulumtues i QKSS-së me të gjeturat më të fundit sa i përket marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës me strukturat e NATO-s, sfidat dhe pengesat që ballafaqohen institucionet e Kosovës për të vendosur marrëdhënie kontraktuale me NATO-n.

Autori i raportit, përmes këtij hulumtimi synon të ofrojë zgjidhje dhe alternativa se si të ecë Kosova përpara në këtë drejtim. Raporti përmban dy skenarë dhe rekomandime konkrete drejtuar institucioneve të Kosovës dhe NATO-s për hapjen e bashkëpunimit zyrtar në mes të të dyja palëve. Gjithashtu, fokusi i këtij raporti është që të ndikojë tek institucionet duke i inkurajuar ato që të ndërmarrin hapa të guximshëm për të nxitur bashkëpunimin e Kosovës me vendet mike të Kosovës në NATO.

Në konferencë i ftuar si panelist, ka qenë Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj i cili ka folur për sfidat e sigurisë në Kosovë, e veçmas për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Hoxhaj ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të themelohen sa më shpejt që është e mundur, dhe se Kosova duhet të anëtarësohet edhe në disa organizata të tjera të sigurisë sikurse Adriatic Charter (A-5).

Hulumtimi i QKSS-së ka nxjerrrë në pah se procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO sfidohet nga pengesa të jashtme dhe të brendshme. Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që është jashtë procesit të zgjerimit të NATO-s. Për më shumë, vendi nuk ka vendosur ndonjë bashkëpunim dhe marrëdhënie zyrtare e kontraktuale me NATO-n. Kjo për shkakun të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga katër vende të NATO-s, qëndrimit neutral të NATO-s ndaj Kosovës si shtet që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe për shkak të zotimit të NATO-s që misioni i saj në Kosovë (KFOR-i) të vazhdojë të funksionojë në terren sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Konferenca ka sjellë ekspertë të pavarur dhe studiues nga Kosova, një numër të politikanëve, studiuesve, shërbyesve profesionalë, akademikëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të diskutuar çështje që lidhen me perspektivën e Kosovës dhe institucioneve të saj për t’u integruar në NATO.

Fotogaleria nga konferenca