Të gjithë punonjësit publik të nivelit të mesëm apo punonjësit e rinj, profesionistët në sektorin e sigurisë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe hulumtues nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia, të cilët punojnë apo studiojnë në fushën e gjerë të politikave të sigurisë, ftohen të aplikojnë në “Shkollën për Politika të Sigurisë” e cila do të organizohet nga 14 deri më 18 Shtator 2015 në Tivar, të Malit të Zi.
Objektivat kryesore të Shkollës për Politika të Sigurisë janë: të ngritë kapacitetet civile për angazhim në politikat e sigurisë, të krijoj lidhje në mes të komunitetit të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, dhe të angazhohet në eksplorimin e përbashkët të hendekut të sigurisë dhe deficitetet demokratike si rezultat i konflikteve të ngrira, si dhe të gjejë një zgjidhjeje të mundshme për sfidat e vazhdueshme të bashkëpunimit rajonal.
Shkolla për Politika të Sigurisë është e dizajnuar në atë mënyrë që t’i avancojë njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve duke i përgatitur ata për role të analistëve dhe sipërmarrësve politik në shoqërinë civile, qeveri, media dhe akademi.
Aplikimi:
Për të aplikuar në Shkollën për Politika të Sigurisë 2015, ju lutëm dërgoni dokumentet e mëposhtme në gjuhen angleze në email adresën: ssp2015.srf@gmail.com, jo më larg se data 21 Gusht 2015.
1) Një ese me njërën nga temat e propozuara:
-Si do të dukej një normalizim ‘mjaftueshëm i mirë’ i marrëdhënieve shqiptaro-serbe?
-Si do të mund të kontribuonte BE-ja më së miri në normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe: duke abstenuar nga procesi, duke u përfshirë më shumë apo dukë ndryshuar taktikat?
-Çka duhet të jetë prioritet i politikave shtetërore dhe rajonale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor në kohën e krizës ekonomike dhe institucionale?
2) Një letër motivimi ku ju duhet të shpjegoni se çka prisni ju nga Shkolla dhe si do të i përdorni njohuritë dhe përvojat e fituara gjatë Shkollës në karrierën tuaj.
3) CV jo më të gjatë se 3 faqe.
Logjistika:
Të gjitha shpenzimet e pjesëmarrësve do të mbulohen nga organizatorët, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, pijet dhe transportin.
Gjuha e punës gjatë shkollës është ajo angleze dhe nuk do të ofrohet përkthim.
Për më shumë informacione në lidhje me iniciativën, përfitimet kryesore si dhe kualifikimet e pritshme mund të gjenden në dokumentin më poshtë.
THIRRJE PËR APLIKIM: SHKOLLA PËR POLITIKA TË SIGURISË
Shkolla për Politika të Sigurisë është pjesë e projektit të përbashkët tre-vjeçar Forumi Hulumtues i Sigurisë: Beograd – Prishtinë – Tiranë e iniciuar nga 3 Think Tank të pavarur: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (QBPS) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN), dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze. Ky Forum ka për qëllim të i përmirësoj çështjet e sigurisë reciproke, duke krijuar lidhje të ndryshme në mesin e komuniteteve të politikave të sigurisë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, si dhe duke rritur transparencën në qeverisjen e sigurisë.